Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dalë pak më parë në konferencën e jashtëzakonshme ku ka reaguar me tone tejet të forta për ngjarjen në Fier.
“Policia të bëjë detyrën, unë do ti çoj një listë me personat në kërkim. S’dua jo pikë gjaku, po pikë loti të derdhet nga shqiptarët në zgjedhje. Nëse Edi Rama merr 71 mandate pa vjedhje, do i jap edhe mandatin e presidentit. Por u prek një votë, Edi Rama nuk do të gjejë një vrimë ku të futet. Nuk i vajtën militantët e PD në zyrë, as të LSI. Kejdi, të lutem, ju nuk më dëgjoni mua, pyete Gramozin, nëse duan në vendet që ju keni paguar qira sipas kodit, të vihet portreti i Edi Ramës sot, vij unë i vë që sot, tha Meta.
Presidenti i Republikës Ilir Meta, komentoi incidentin që ndodhi paraditen e sotme në Fier ku mbështetësit e LSI u përplasën me punonjësit e policisë bashkiake. Meta tha se banorët e Libofshës duhet të mprehin kosoret për t’i përdorur më datë 25 ndaj kujtdo që prek votën.
“Kjo është çështja Kejdi. Iu bëj thirrje banorëve të Libofshës, të mprehin kosoret, për datën 25. Duan të prishin zgjedhjet. Dua të bëj thirrje kryerilindasit, pas ulërimave të mia, mirë bëre që i arrestove pasi i mbajte 24 orë me të ngrëna e të pira. I dërgove ti dhe shtabi yt kriminal këta tri horra, 2 prej të tyre punojnë në bashki. Ti vdes për narkotrafikantë. Ky këtu është Alket beu, kunati, (nxjerr foton e publikuar nga PD). Ky është shtabi i dhunës elektorale dhe provokimit të opozitës në Kavajë, unë s’kam lidhje me asnjë nga këta. Këta i nxit Edi Rama. Këta nuk kanë vajtur për motive të dobëta. Bëri mirë policia që i arrestoi, se di nëse janë hequr nga detyra këta vagabondë. Kush përfshihet në krim zgjedhor, ta dijë s’do të ketë më vend në administratën publike pas 25 prillit. Çdokush nuk do të ketë më vend në administratën qendrore dhe vendore. Ta kenë të qartë të gjithë.”-tha Meta.

