Fondi Monetar Ndërkombëtar i sugjeroi Shqipërisë të përpiqet të ulë borxhin publik dhe deficitin buxhetor “shumë të lartë” përmes një kombinimi të rritjes së të ardhurave buxhetore nga taksat dhe përmirësimit të eficencës së shpenzimeve buxhetore përmes “rritjes së transparencës”.
Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për një “deficit më të lartë nga sa duhej” për vitin 2021 ndërsa rekomandoi që të përdorë mundësinë e krijuar nga rimëkëmbja e pritshme ekonomike për të kursyer dhe ulur borxhin publik në mënyrë që vendi të jetë i përgatitur për kriza të tjera në të ardhmen.
Ekspertët e FMN-së kryen bisedime gjatë ditëve të fundit me autoritetet shqiptare në kuadër të konsultimeve për nenin 4 të marrëveshjes së anëtarësimit në FMN, konsultime në të cilat ekspertët analizojnë zhvillimet kryesore makroekonomike, treguesit e buxhetit të shtetit dhe të borxhit publik.
FMN kritikoi në veçanti programin e qeverisë së Edi Ramës për koncesione, duke i konsideruar si instrumente që “nuk kanë transparencë”, kanë tejkalime në kosto dhe përdoren për të shmangur kufizimet mbi deficitin buxhetor duke krijuar në praktikë borxhe të padeklaruara.
“Rritja e shpejtë e stokut të PPP-ve – të cilat pritet të arrijnë në 50% të PBB-së në vitin 2021 nga 335 në 2018 – kërkon përpjekje të dyfishta për të fuziuar menaxhimin e investimeve publike,” thuhet në deklaratën e FMN-së.
“Sfidat kryesore përfshijnë mungesën e transparencës mbi kostot dhe tejkalimet në afate apo mosrespektim të proceseve ekzistuese të përzgjedhjes dhe miratimit, përfshirë rastet kur PPP-të përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme,” vijon më tej deklarata.
FMN konsideron gjithashtu si “sfidë kryesore” gjetjen e të dhënave mbi ekspozimin real të qeverisë ndaj PPP-ve.
FMN kritikoi gjithashtu praktikën e zakonshme të qeverive shqiptare përgjatë dy dekadave të fundit për të kryer ndryshime në ligjin e Buxhetit të Shteti përmes Akteve Normative, si instrumente që shmangin transparencën dhe llogaridhënien.

