Pak minuta më parë kryeministri Rama ka dalë në një lidhje live në Facebook për të shpjeguar detaje të asaj që ai e quajti “Paketa e Rezistencës” me qëllim përballimin e pasojave të krizës nga rritja e çmimeve.
Ndër të tjera Rama tha në fillim të fjalës së tij se i vinte turp që Shqipëria ishte vendi i parë i NATO-s ku protestohej për pasojat e luftës në Ukrainë.
Po ashtu lryeministri theksoi se qeveria paguan tani 80% të faturës reale të çmimit të energjisë elektrike për shkak të rritjes së madhe të çmimeve të saj në bursë.
Rama theksoi se qeveria do të paguajë brenda vitit 650 milion euro për abonentët me qëllim që të mos rritet çmimi i energjisë elektrike.
Qytetarët protestuan sot para Kryeministrisë në Tiranë si edhe në qytete të tjera të vendit kundër rritjes së çmimeve. Kjo është dita e katërt e protestave, ndërkohë që gjatë tre ditëve të para është bërë e mundur ulja deri diku e çmimit të karburanteve. Krahas këtyre të fundit Shqipëria po përballet me shtrenjtim të çmimit të ushqimeve.
Më herët, qeveria ngriti përmes një Akti Normativ një bord për përcaktimin e çmimeve të karburanteve. Vendimi i parë i bordit u mor sot, sipas të cilit nafta dhe benzina do të shiten me 215 lekë/ litri deri në 15 mars, kurse gazi me 93 lekë/ litri.
Ky është një çmim relativisht më i ulët krahasuaar me atë të disa ditëve më parë, megjithatë duket të jetë larg atij nën 200 lekë që ishte para rritjes së madhe që pësoi para një jave.
Shpjegimi i importuesve ka qenë se çmimi u rit për shkak të shtrenjtimit në bursë duke bërë që edhe në Shqipëri një litër naftë të kërcente në pak ditë nga 195 lekë/ litri në 265 lekë/ litri.
Aktualisht, çmi i karburateve në bursë është mesatarisht 110 dollar një barrelë, ngjashëm me çmimin kur karburantet këtu ishin 190-195 lekë/ litri. Prandaj, nevojitet që çmimi të ulet edhe më tej, të paktën për të kapur të njëjtat nivele me një javë më parë.

