Seanca e sotme plenare nisi me tensione. Ka qenë deputeti Edmond Spaho që fillimisht kërkoi ndryshimin e rendit të ditës duke u ngritur i revoltuar dhe drejtuar nga foltorja. Spaho u ndesh dhe me reagimin e Taulant Ballës i cili tha se të gjithë deputetët e Komisionit të Rithemelimit, janë bërë si Berisha, duke folur kot.
“Të ka hyrë Saliu brenda, mbaje çik më poshtë, mos e ngri deri këtu. Mocionet me debat janë një seancë e posaçme. Për axhendë u la që seanca e të enjtes të jetë në dy pjesë, pjesa e parë është mocioni me debat, kërkuar nga një grup i opozitës, dhe seanca e parë e të njëjtës ditë do të nisë me interpelancën e kërkuar nga pala tjetër”, tha Balla.
“Më çudisni që merrni fjalën për çështje brenda opozitës, nuk të nxjerr kjo në selamet, kot lodhesh. Sot nuk ka dy seanca, kemi një rregullore, e cila nuk lë asnjë shteg është e prerë, zhvillohet si pikë e parë e rendit të ditës, në seancën e parë të javës së ardhshme. Nuk ke për të nxjerrë gjë, apo të ka hyrë frika nga Berisha dhe… Del këtu dhe bën zëdhënësin e opozitës në thonjëza”, ishte kundërpërgjigja e Spahos.

