Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka dalë me një postim në rrjetin social Facebook për 13 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Nikolla ka vlerësuar kontributin që vendi ynë ka dhënë në këtë aleancë.
“Gjatë këtyre viteve, Shqipëria ka dhënë kontributin e saj proporcional dhe thelbësor, si një anëtare e denjë e NATO-s, në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajone të ndryshme: në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në Kosovë; në ISAF dhe Misionin Resolute Support në Afganistan; në misionet detare në Egje; në Prezencën e Përparuar të Përforcuar të NATO-s në Letoni etj.
Gjithashtu, Forcat tona të Armatosura qenë dhe janë të angazhuara në misione paqeruajtëse dhe luftarake në Bosnje- Hercegovinë, Sudani i Jugut, në operacionin ushtarak UNMISS të OKB-së etj. Gjatë kësaj periudhe, me qindra ushtarakë shqiptarë shërbyen me përkushtim, profesionalizëm të lartë dhe sakrifica në misionet e Forcave të Armatosura në kuadër të Aleancës.
Sot kujtojmë me respekt Dëshmorët e Atdheut, Kapiten Feti Vogli, Major Klodian Tanushi dhe Nëntetare Zarife Hasanaj, të cilët ranë në krye të detyrës, në misionet ushtarake në Afganistan dhe Letoni, si Dëshmorë të Paqes, për një botë më të sigurt”, shkruan ajo.

