Kryetari i Grupit Enkelejd Alibeaj ka bërë së fundmi një reagim lidhur me arrestimin e kryetarit të ish-të përndjekurve politik në Mirditë, Kol Nikolli.
Ai shkruan se rasti i Kol Nikollit, është padyshim prova që ky pushtet është kundër qytetarëve shqiptarë. Sipas Alibeajt, “në shtetin e kryeministrit Rama, nëse vjedh 430 milion euro, shëtit i lirë e shkon në të gjithë botën, por ama nëse bën detyrën si qytetar i këtij vendi përfundon pas hekurave”.
Reagimi:
Ndalimi në kufi si një kriminel, i një personaliteti që përfaqëson të përndjekurit politikë, familjarisht te persekutuat nga komunizmi, siç është rasti i Kol Nikollit, është padyshim prova që ky pushtet është kundër qytetarëve shqiptarë.
Në vend që të ndalojnë ata që me aferën e inceneratorëve vodhën 430 milion euro, ndalojnë Kol Nikollin, vetëm se pretendohet se ka dalë krah qytetarëve të vet që ngritën zërin për rritjen e çmimeve.
Pra, në shtetin e Edi Ramës, nëse vjedh 430 milion euro, shëtit i lirë e shkon në të gjithë botën, por ama nëse bën detyrën si qytetar i këtij vendi përfundon pas hekurave.
PD i kërkon autoriteteve të lirojnë menjëherë kreu e shoqatës së të përndjekurve politikë Kolë Nikolli dhe ti kërkojnë falje publike.

