TË FUNDIT

Zbardhet mbledhja e grupit të PD, debate të forta, Gështenja bën propozimin e papritur

Është zhvilluar me debate e përplasje të forta mbledhja e sotme e grupit parlamentar demokrat. Sipas informacioneve, bëhet me dije se deputeti Lefter Gështenja ka deklaruar se është e udhës që në procesin e zgjedhjeve dhe të garës brenda partisë të përfshihen të gjithë demokratët.

Në të njëjtën linjë me të ka qenë edhe Helidon Bushati i cili ka kërkuar që të ndërpritet menjëherë zgjedhjet për kryetarët e degëve, pasi kjo sjell përçarjen dhe jo bashkimin e partisë dhe demokratëve.

Pjesë nga diskutimi:

Gështenja: Pasi PD nuk fitoi zgjedhjet 25 prillit, nisi bjerrja apo rrjedhja  e parë e anëtarësisë dhe strukturës,  ku shumë demokratë shprehnin pakënaqësinë për atë çka ne nuk erdhëm në pushtet.  Krisja e dytë dhe më thelle ishte vendimi i 9 shtatorit, e për pasojë vendimet e njëpasnjëshme të 11 dhe 18 dhjetorit që çuan në çarjen dhe krizën e thellë të PD. Duke parë dhe pranuar realitetin  ku ndodhemi sot si PD, ne duhet të ndërmarrim një proces  gjithëpërfshirës ku secili nga ne duhet të kontribuojë jo për të përfituar por duke dhënë maksimumin në funksion të bashkimit dhe organizimit real të PD. Në thelb të këtij procesi mendoj se duhet të qëndroje: ‘‘armëpushimi’’ mes demokrateve,  vota e fshehtë e lirë dhe e barabartë. Çfarë kuptimi ka hapja apo bashkimi i partisë  nëse ne vazhdojmë bëjmë zgjedhjet përpara se të hapet apo të bashkohet partia? Mendoj që në PD nuk duhet të ekzistojë termi shumicë pakicë, pasi ne duhet të jemi një të jemi të gjithë bashkë kundër Edi Ramës, ndarja në mazhorancë e minorancë në parti na çon në ndarje dhe përçarje të strukturës në të gjitha nivelet. Nuk është aspak normale që në procesin e zgjedhjeve brenda  në parti të mos përfshihen kryetarët, drejtuesit, ish-drejtuesit e strukturës së degëve që kanë shpenzuar për 30 vjet kohë mund dhe  para, janë njerëz me vlera dhe kontribute, janë njerëz që kanë sëpaku 9 vjet në një  opozitë të vështirë. Ata nuk përfshihen thjesht për faktin se mendojnë ndryshe apo nuk kanë firmosur formularin, ndërkohë nuk janë larguar për asnjë moment nga PD. Unë them që kjo nuk është normale, kjo nuk është demokraci, kjo nuk është hapje e partisë ky nuk është bashkimi, por është e kundërta. Për zgjidhjen e kësaj krize propozoj: Ngritjen e Grupeve te Përbashkëta Pune në nivel qendror dhe lokal  për organizimin dhe drejtimin e  procesit të bashkimit dhe zgjedhjeve në PDSH në nivel qendror (5deputetë)  dhe lokal (5 veta drejtues strukture)  (deri më 15/04/2022). Të drejtën për të kandiduar e ka çdo demokrat që  plotëson kriteret e përcaktuara më parë. Ndërkohë duhet të fillojmë me urgjencë punën në terren duke dal të gjithë bashkë për të dhënë mesazhin e Bashkimit pasi pas 1 viti kemi zgjedhjet lokale, të japim mesazh të qarte për çdo demokrat që Grupi Parlamentar është i bashkuar dhe i unifikuar.

Bushati: Flasim gjatë gjithë kohës për bashkim,  por në fakt në bazë po ndodh krejt e kundërta. Kam vërejtur me shqetësim se ky proces i nisur nga Komisioni i Rithemelimit, me të vërtetë po zgjedh një kryetar të ri dege, por po e thellon përçarjen. Pavarësisht se rithemelimi mund të gëzoje mbështetjen e shumicës, procesi nuk është gjithëpërfshirës. Që të gjejmë zgjidhje dhe të japim sinjale pozitive unë sugjeroj: Të ndalohet procesi i zgjedhjeve në degë. Të shtyhet për një periudhe jo me shumë se 1 mujore derisa të ndërmerren hapa te integrimit të të gjitha grupimeve ne këtë proces. Gjatë kësaj periudhe mund të vendosim të mbledhim një Kuvend gjithëpërfshirës, le ta quajmë “Kuvend Pajtimi” nga ku të dalim me mesazhe të qarta për të ardhmen tonë dhe rikthimin si alternative qeverisëse.  Nëse ky hap merr dakordësi, automatikisht duhet të tërhiqet padia e bërë në Gjykatën e Apelit dhe të mos fokusohemi ne debate juridike. Të ndalohet që sot dalja ne Televizione e kolegëve tanë të këtij grupi, duke mbajtur qëndrime apo duke mbrojtur qëndrime kontradiktore me njeri-tjetrin që evidentojnë dhe japin mesazhin se përçarja vazhdon. Sot vetëm bashkimi e shpëton Partinë Demokratike, çdo proces tjetër vetëm sa e zvogëlon atë dhe nuk e bën kurrë fituese.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat