Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka zhvilluar sot një takim me kryetarët e degëve të LSI në të gjithë vendin.
Kryemadhi është shprehur gjatë mbledhjes, se LSI po përgatitet për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, ndërkohë që në Konventën e 25 Korrikut do të zgjidhet dhe ekipi drejtues i kësaj force politike.
Kryemadhi iu rikthye akuzave ndaj PD-së së udhëhequr nga Lulzim Basha, që sipas saj është blerë me paratë e inceneratorëve, dhe koncensioneve të tjera në portin e Durrësit.
FJALA E PLOTË E KRYEMADHIT:
Siç jeni njoftuar mbledhja e Konventës Kombëtare në 25 korrik, është konventa e parë që vjen pas zgjedhjeve një anëtar një votë të cilën për shkak të pandemisë e patëm spostuar. Tashmë erdhi momenti që edhe për shkak të një analize të detajuar që kemi bërë dhe që do vazhdojmë ta bëjmë për zgjedhjet e 25 prillit por edhe për shkak të vetë situatës politike në të cilën gjendet Shqipëria është domosdoshmëri mbledhja e Konventës për zgjedhjen e strukturave.
Por më shumë për përgatitjen e strukturave të LSI për zgjedhjet lokale. Zgjedhjet lokale janë jo më larg se një vit, ku përfaqësimi i LSI do të jetë në të gjitha bashkitë dhe në të gjitha këshillat bashkiakë. Po kështu strukturat organizative do të përgatiten jo vetëm për zgjedhjen e kandidatëve por edhe për evidentimin pasi këshillat do të kenë elementin e pjesëmarrjes 50% gra dhe 50% burra pra kuotën gjinore.
Ne si LSI gjithmonë nuk e kemi pasur problem pasi ne e kemi pasur që në zgjedhjet e 2007 përfaqësimin 50% me gra dhe vajza në këshillat bashkiak. Po ajo që është shumë e rëndësishme sot edhe për shkak të largimit të shumë të rinjve dhe të rejave për shkak të mungesës së punës, për shkak të mungesës së mundësive, sot është shumë më e vështirë për të gjetur të rinj dhe të reja për t’i përfshirë dhe është një punë e jashtëzakonshme jo vetëm e strukturave të partisë por edhe strukturave të rinisë dhe të gruas struktura për evidentimin dhe angazhimin e pjesës më vitale të partisë në këto zgjedhje.

