Rektori i Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi, kërkon status të veçantë për shkollën e arteve.
Duke folur në seancën dëgjimore në Komisionin e Medias ku ishin ftuar Rektorët e Universiteteve publike ai tha se kjo ka qenë parashikuar dhe në projektin e reformës në drejtësi por që në finalizimin e saj mbeti jashtë.
Nga ana tjetër Rektori kërkoi financim të ndryshëm nga qeveria për këtë Universitet, duke u shprehur se në Universitetin e Arteve bëhet mësim individual ose në grupe shumë të vogla dhe kostoja është shumë e lartë.
“Për 850 studentë, mësimin e kemi individual, ne marrim të njëjtën rritje 3-4%. Kjo ka bërë që një student i pianos apo violinës në kohën e dimrit i bie violinës me shall dhe pallto të madhe. Deri vjet na ka pikuar çatia. Morëm një fond të konsiderueshëm vjet dhe rregulluam të paktën çatinë. Do tu lutesha shumë të mund të influenconi që Universiteti i Arteve ashtu siç ka qenë në projekt të marrë statusin e veçantë dhe mënyra e financimit duhet të jetë e ndryshme. Nëse zgjidhen këto dy gjëra ne do të hamë me “lugë floriri”, në të kundërt do të jemi keq”, u shpreh Kastriot Çaushi./real-news.tv/

