Amaneti i fundit i major Klodian Tanushit

Ende vijon mbajtja e homazheve për majorin e ndjerë Klodian Tanushi, i cili ra në krye të detyrës në Letoni pas shpërthimit të një mine.

Presidenti Meta, kryeministri Rama, Lleshaj dhe Xhaçka ndodhen të pranishëm në Muzeun Historik Kombëtar, ashtu sikurse edhe shumë ushtarakë e figura të tjera të larta politike.

Në fjalën e saj, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka me lot në sy ka rrëfyer amanetin e fundit të major Tanushit.

“Fatkeqësisht dhimbja na u shtua përsëri, pas vdekjes së Zarife Hasanajt. Ndarja nga jeta e major Klodian Tanushit është aq e rëndë dhe aq e trishtueshme, sa është e vështirë të gjesh fjalët e duhura për të qetësuar sado pak zemrat e familjarëve. Edhe pse mirënjohja dhe krenari është pa kufi, sërish nuk mund ta zbusim zemrën e bërë gurë të familjarëve të tij. Jemi pranë tyre. Është shumë e dhimbshme edhe për mua që e kam njohur nga afër këtë ushtarak dhe që besoja se do ia dilte mbanë. Ai nuk ia doli duke na lënë një boshllëk të madh bashkë me humbjen e pakthyeshme. Por, ai është një njeri i rrallë. Majori e përmbushi me krenari misionin e tij, duke sakrifikuar jetën. Majori na la amanetin e fundit “mbi interesat vetjake, të vëmë interesat e gjithë Shqipërisë”. Prehu në paqe të përjetshme heroi ynë, dëshmori më i ri i Atdheut”, u shpreh Xhaçka.