“Arrest me burg” për ‘killerin’ shkodran: Do flas një moment tjetër!

“Arrest me burg” për Sadetin Erkoçeviq i cili u arrestua të martën (13 gusht) në rrugën “Bilal Xhaferri” në Tiranë ku dyshohej se do të kryente një vrasje.

Gjykata e Tiranës dha sot (16 gusht) masën e sigurisë. Prokurori Valentin Prençi kërkoi masën e sigurisë ‘arrest me burg”.

Vetë Erkoçeviq është shprehur se do të flasë në një moment të dytë lidhur me armën pa leje, ndërsa lidhur me dënimin me 20 vite burg për vrasjen e ndodhur në 2014 u shpreh se nuk kishte dijeni pasi gjyqi ishte zhvilluar në mungesë.

Ndërsa avokatja, Vjollca Pustina kërkoi masë më të butë sigurie, ndërsa sa i takon armës pretendoi se e mbante për vetëmbrojtje pas vrasjes së ndodhur në 2014.

28-vjeçari i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 20 vjet burg për vrasje në Shkodër u arrestua pranë zonës së Liqenit Artificial në Tiranë me armë të mbushur.

Policia nuk dha detaje për shënjestrën e të riut nga Shkodra apo motivin e vrasjes së parandaluar, ndërsa të kërkuarit iu gjet në çantën e dorës një armë zjarri tip pistoletë me 14 fishekë, një prej të cilëve në fole.

Nga të dhënat paraprake, blutë dyshojnë se kemi të bëjmë më vrasës me pagesë. Erkoçeviq ishte një nga 31 personat më të kërkuar në qarkun e Shkodrës, i dënuar në mungesë me 20 vite burg pasi në 10 maj të 2014 ka vrarë me armë zjarri Indrit Yllin dhe ka plagosur shtetasin Jetmir Molla.