Atentat te Komuna e Parisit, një i plagosur

Atentat me armë zjarri te Komuna e Parisit në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes së sotme, ndërsa raportohet se një person ka mbetur i plagosur. Ende nuk dihet identiteti i tij, ndërsa është transportuar në spitalin e Trumës.

Ai është plagosur në këmbë. Burime për Report Tv nga spitali pohojnë se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka rrethuar vendin e ngjarjes për të mbledhur provat, ndërkohë që janë ngritur disa postblloqe për të arrestuar autorët.

Grupi hetimor pritet që të marrë në pyetje të plagosurin mbi konfliktet që mund të ketë pasur. Gjithashtu pritet që të sekuestrohen edhe kamerat e sigurisë së bizneseve pranë vendit të ngjarjes për të shkuar në gjurmët e autorëve.