Australia shënoi janarin më të nxehtë në histori

australia_1549013770-441097.jpg

Ndërsa Shtetet e Bashkuara vuajnë nga një i ftohtë rekord, me temperatura që shkojnë në minus 32 gradë Celsius, Australia po sheh një valë të të nxehtit ekstrem.

Muaji që kaloi ka qenë janari më i nxehtë në histori të Australisë. Për herë të parë, temperatura mesatare gjatë këtij muaji ka qenë mbi 30 gradë. Sipas Byrosë së Meteorologjisë, vapa e jashtëzakonshme në këtë periudhë të verës ka qenë e pakrahasueshme me vitet e kaluara.

Të paktën dhjetë ditë gjatë muajit të kaluar janë regjistruar si ditët më të nxehta në histori të vendit, me ç’rast në disa rajone janë regjistruar temperatura më të larta se 40 gradë. Kushtet e jashtëzakonshme të motit kanë shkaktuar vdekje, zjarre dhe rritje të numrit të pacientëve në spitale. Është raportuar gjithashtu se shumë kafshë kanë ngordhur nga etja.

Rekordi i shënuar gjatë këtij janari e ka thyer rekordin e mëparshëm të vitit 2013.

Australia është përballur vazhdimisht me temperatura shumë të larta viteve të fundit. Vitin e kaluar, në Sydney u shënua temperatura 47.3 gradë, e cila theu rekordin e vitit 1939. Besohet se temperatura mesatare në Australi gjatë 100 vjetëve të fundit është rritur më shumë një gradë, duke shkaktuar ndryshime të dukshme në florën dhe faunën e vendit.

Por ndërkohë që nxehtësia aktuale vazhdon të shkaktojë probleme për Australianët, shkencëtarët po paralajmërojnë se ky mund të jetë vetëm fillimi i problemeve me motin ekstrem nëse nuk ndërmerren veprime për të parandaluar ndryshimet klimatike./real-news.tv/

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303