Gjykata e Tiranës dëgjoi sot dëshminë e Fredi Alizotit, i implikuar në dosjen e ashtuquajtur “Babalja”. Alizoti iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve, teksa pranoi akuzat e kallëzimit të rremë dhe rrëfeu para gjykatës se ai me Albert Veliun kanë bërë audio përgjimin.
Sipas Alizotit, është ky i fundit që gjithashtu i ka siguruar stilolapsat për përgjim. “Mos marrja e lekëve, tha i pandehuri, më shtyu që të tregoj të vërtetën”, ndërsa shtoi se ishte ndjerë i kërcënuar. Nga ana tjetër, Alizoti u pyet edhe nga avokati Indrit Sefa, i cili ngriti dyshime në lidhje me thëniet e tij, duke e pyetur për disa përgjime, ku Alizoti fliste miqësisht me drejtorin e Policisë së Fierit.
“Nuk i kam miq, por tek ata ndihesha i sigurt”, tha Alizoti, teksa i përgjigjej pyetjes së avokatit. Sefa shtoi se personaliteti i të pandehurit nuk është i besueshëm dhe se ai ka implikuar në këtë histori njerëz që nuk i njeh dhe as i ka parë ndonjëherë në jetë.

