Në deklaratën e dhënë pak minuta më parë për mediat, kryebashkiaku i zgjedhur i Vaut të Dejës, dha dhe një alibi në lidhje me atë që ka qenë duke bërë më 4 prill 1994, datë në të cilën PD pretendon se është arrestuar.
Babani sqaroi se nuk ka ndryshuar kurrë emër dhe se as nuk është ndaluar ndonjëherë nga policia. Ai shtoi se më katër prill 1994 punonte në një hotel dhe se për ta vërtetuar këtë kishte edhe vitet e punës.
“E gjithë kjo histori është e sajuar që nuk ka lidhje me mua, unë deklarimet i kam bërë të qarta, ata nëse kanë mëto fakte mund të kishin shkuar në Prokurori. Mua nuk më ndalin. Unë po pres që ata të bëjnë padinë në Prokurori, po orës ftesën e Prokurorisë dhe jam i gatshëm të shkoj e të jap deklarimet e mia. Ata meqë e kane bërë padinë pse dalin të flasin në televizor? Me 4 prill 1994 deri më 27.10.1994 kam qenë në hotel në punë, gjatë gjithë kësaj periudhe, dhe këto janë vitet e mia të punës. Unë në jetën time nuk kam qenë kurrë i ndaluar. Nuk kam asnjë person të njerëzve me të cilët kam bashkëpunuar atje nuk ka pas emrin Saimir. Unë kam autorizuar avokatët e mi dhe po shoh para se Prokuroria të dalë me një vendim që t’i bëj një denoncim zotit Bardhi për shpifje. Nuk kam ndryshuar asnjëherë emër e as mbiemër”, tha ndër të tjera kryebashkiaku i Vaut të Dejës.

