Anëtarja e Komisionit të Rithemelimit Edith Harxhi, ka komentuar sot para gazetarëve zhvillimet më të fundit brenda PD, ku theksoi se riorganizimi i brendshëm i kësaj force politike do të duhet që të bëhet përpara garës së vitit të ardhshëm për zgjedhjet lokale, ku mobilizimi duhet të jetë i lartë.
“Vota është ajo që do të vendosë në fund fare fituesit por ne të gjithë do të jemi fitues për arsye sepse fituesi nuk do të jetë më në bazë të statutit tonë, vetëm një individ, por do të jetë e gjithë anëtarësia e PD dega Korçë.
Ky riorganizim natyrisht i prin organizimit të ardhshëm që do të kemi pas disa muajsh për përgatitjen e primareve për kandidat për kryetar të bashkisë së Korçës. Natyrisht do të jetë një organizim i cili do të vlejë edhe për zgjedhjet e ardhshme.
Për këtë arsye angazhimi i çdo anëtari të degës Korçë dhe bashkimi i anëtarësisë pranë komisionit të rithemelimit do të ishtë ajo çfarë duhej të bëhej për të bërë të mundur një fitore të partisë demokratike së shpejti. E theksoi bashkimi dhe vota janë dy çështjet kryesore për të cilat partia demokratike do nderohet në të ardhmen”, tha Harxhi.
Harxhi,u pyet nga gazetarët në lidhje me zërat se Lulzim Basha mund të jetë kandidat për president të vendit.
“Komisioni i rithemelimit nuk ka diskutuar asnjë kandidaturë dhe aq më tepër kandidaturën e Luzim Bashës nuk e mendoj që është një objekt diskutimi për komisioni, objekti i vetëm i diskutimit është vetëm riorganizimi dhe zgjedhjet e të gjitha strukturave dhe kuvendi i datës 30 prill ku do të dalë këshilli i ri kombetar, kryesia e re e PD dhe gjithë forumet e tjera. Sa i përket kandidaturës së Lulzim Bashës për president unë preferoj të mos merrem me shaka të tilla”, ishte përgjigja e Harxhit.

