Bashkia Kukës ‘me dorë të rëndë’, gjobit me 52 mln dollarë kompaninë minerare, i bllokon edhe aktivitetin

Dënohet me 52 milion dollarë gjobë një kompani minerare në Kukës.

Mësohet se kompania “IMI sh.p.k” është gjobitur për dëmtim ambienti. Gjithashtu raportohet se Bashkia e Kukësit ka pezulluar aktivitetin e kësaj kompanie.

“Kompania nuk ka respektuar ligjin. Nuk ka vendim për heqjen nga fondi pyjor që është shumë e rëndësishme. Punon pa leje. Ka hapur disa rrugë pa leje nga bashkia. Ne kemi kërkuar që kompania të respektoje ligjin dhe derisa të jetë në bazë të rregullave dhe ligjit. Ne nuk do ta heqim bllokimin. Mbi të gjitha kompania në zonë ka bërë masakër mjedisore. Të gjitha inertet janë hedhur në liqen. Kompania nuk ka zbatuar kontratën me ministrinë e linjës sa përket investimit në zonë nga fitimi.

Në zonë nuk ka bërë asnjë investim infrastrukturor. Pra do të thotë se ne mbrojmë interesin publik  dhe banorëve dhe mbi të gjitha kërkojmë  që të zbatoj ligjet për pyjet dhe mjedisin. Drejtoria dhe inspektorati i mjedisit nga kontrollet në terren ka konstatuar dëme të llahtarshme në mjedis. Për këtë kompania është gjobitur. Kjo kompani prej vitesh punon pa letra. Punon në të zezë. Derisa kompania të paguaj 52 milionë dollar gjobë dhe dëm mjedisor sa është konstatuar nga ekspertet e bashkisë, kompania do të jetë e bllokuar. Të jenë të bindur se nuk vëmë shirita në mëngjes e ti heqim pasdite. Shiriti do të hiqet vetëm atëherë kur kompania të zbatojë ligjin. Të paguajë borxhin. Ne jemi në të drejtën tonë” tha kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici.

Nga ana tjetër punëtorët në minierën e kromit në Kalimash vijojnë punën ndonëse bashkia ia ka pezulluar.

Kompania ka ngritur një padi në Gjykatë ndaj Bashkisë së Kukësit, pasi thotë se e ka dorëzuar prej kohësh kërkesën për të marrë në dorëzim fondin pyjor për sipërfaqen e përcaktuar ne kontratën koncesionare të shfrytëzimit, por as bashkia dhe as Ministria e Mjedisit nuk i kanë dhënë një përgjigje.