Bërnabiç: Kosova e vetmja pikë e mosmarrëveshjes me Gjermaninë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, është takuar ditën e sotme me kancelarin gjermane Angela Merkel në Berlin.

Pas takimit, kryeministrja serbe deklaroi se çështja e Kosovës është e vetmja pikë e keqkuptimit dhe mosmarrëveshjes midis Serbisë dhe Gjermanisë.

Ajo tha se është e rëndësishme të diskutohet për këtë temë dhe se sipas saj, e ardhmja për Ballkanin nuk do të jetë ndryshe nëse nuk ka një zgjidhje afatgjatë e të qëndrueshme e nëse nuk arrihet pajtimi mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Çështja e Kosovës padyshim që është e vetmja pikë mosmarrëveshjeje dhe keqkuptimi, por për ne Gjermania është një nga partnerët më të rëndësishëm dhe për aq sa nuk pajtohen për disa çështje, gjëja më e rëndësishme është të bisedojmë me Gjermaninë, të dëgjojmë mendimet dhe këshillat, të paraqesim pozicionin tonë dhe të shohim nëse mund të punojmë së bashku që t`i përafrojmë pikëpamjet tona dhe të arrijmë një zgjidhje afatgjatë të qëndrueshme”- deklaroi kryeministrja serbe.