BERZH-BE, 100 mln euro për turizmin, Rama: Besim te strategjia jonë!

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar kontributin me 100 milionë eurosh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për turizmin në Shqipëri dhe BE, një shprehje të besimit e vlerësimit tek strategjia e përzgjedhur prej qeverisë shqiptare përmes rilindjes urbane.

Në prezantimin e projektit të përbashkët të Bashkimit Europian dhe BERZH me 100 milion euro në mbështetje të programit transformues të turizmit në Shqipëri, kreu i qeverisa tha se këto dy forca kanë një kontribut të madhe për vendin tonë.

“Nuk ka diskutim që Shqipëria s’do ishte i njëjti vend pa mbështetjen e BE dhe BERZH gjatë më shumë se 25 viteve të fundit. Janë me dhjetëra e dhjetëra projektet që janë mundësuar në vendin tonë falë mbështetjes financiare të BERZH ashtu sikundër është më se e vërtetë që edhe projekti që lançojmë sot si një projekt i përbashkët mes BE-së dhe BERZH përbën jo vetëm shifër 100 mln euro por mbi të gjitha në përmbajtjen e vet një arsye më shumë për të vlerësuar rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në vendin tonë të këtyre dy forcave. Kjo marrëveshje e re e cila do t’i shkojë si një mbështetje më shumë programit tonë transformues të turizmit në Shqipëri është edhe një shprehje kuptimplotë e vlerësimit dhe besimit të këtyre institucioneve tek rruga dhe strategjia e përzgjedhur prej nesh përmes rrugës së rilindjes urbane dhe asaj urbane”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se është një projekt i cili para se t’i jepnim formë programit kombëtar të rilindjes urbane, do të ishte i pamundur sepse baza e argumentave që është krijuar falë suksesit të programit të rilindjes urbane nuk do të ishte aty.

“Çka po diskutonim me presidentin e BERZH-it pak më parë ishte pikërisht se çfarë përpjekjesh transformues kanë sjellë ndërhyrjet e integruara që kanë ndryshuar këndvështrimin e komunitetin e tyre në raport me vendbanimin e tyre dhe vetveten. Nuk bëhet një fjalë për një fond që do shkojë për një komponent por do shkojë për programe të integruara dhe do t’i bashkëngjitet një harte ndërveprimesh të përcaktuara dhe do t’i bashkëngjiten dhe fonde të tjera qoftë nga buxheti i shtetit qoftë nga BB apo që në hapat në vijim pritet të vihen në dispozicion edhe nga Banka Gjermane”, theksoi kreu i qeverisë.

Ai tha se Shqipëria ka dyfishuar numrin e turistëve në 5 vjet dhe se ky numër është rritur edhe në raport me një vit më parë.

“Në fjalën e sotme ministri superoptimist i turizmit dhe mjedisit, që është që ne në 5 vjet kemi arritur të dyfishojmë numrin e turistëve. Kur them ne, Shqipëria ka arritur ta dyfishojë, ne kemi pasur një rol jo të vogël në këtë rritje. Duke parë sot shifrat e prillit në krahasim me një vit më parë, kemi përsëri një rritje. Duke krahasuar dhe 4 muajt e këtij viti me 4 muajt e parë të vitit të kaluar kemi përsëri një rritje. Sa më shumë turistë, aq më shumë njerëz do të kemi jashtë vendit tonë do të thonë të vërtetën për Shqipërinë, e cila ka vuajtur dhe vuan nga perceptimet e krijuara pa e njohur atë nga afër”, tha Rama.