Bizneset e mëdha të huaja braktisin Shqipërinë. Në 2018-n u mbyllen 177 subjekte

Shqipëria nuk po tërheq më ndërmarrjet e huaja për të bërë biznes. Sipas Regjistrit të Ndërmarrjeve, mbyllja e tyre është reflektuar si te bizneset me shumë të punësuar, ashtu edhe te bizneset me kapital nga vendet e BE-së. Ndërsa të vegjlit vijnë të provojnë fatin në Shqipëri.

Sipas të dhënave të INSTAT në fund të vitit 2018 kishte më pak ndërmarrje të huaja që operonin në vend në krahasim me një vit më parë. Në total numri i bizneseve aktive në pronësi të huaj ishte 6,259, prej të cilave 4,056 ishin nga vendet e Bashkimit Europian dhe 2,203 ishin nga shtetet e tjera. Një vit më parë numri i bizneseve të huaja që operonin në Shqipëri ishte 6,295.

Ajo çka vihet re në stokun në fund të 2018-s është se numri i bizneseve me kapital nga vendet e Bashkimit Europian ka shënuar rënie me 141 subjekte (tkurrje 3%), ndërsa bizneset nga vendet jo BE janë rritur, me 5% (105 më shumë).

Sipas sektorëve, rënia u shënuar te prodhuesit e të mirave, ku në fund të 2018-s operonin rreth 170 biznese më pak. Rreth 154 biznese më pak operonin në industri dhe 16 më pak në ndërtim. Ndërsa sektori i bujqësisë dhe peshkimit mbeti në vend numëro.

Për sa i përket prodhuesve të shërbimeve, numri i tyre u rrit në fund të 2018-s, ku numëroheshin rreth 132 biznese më shumë. Sektori i tregtisë, pjesë e prodhuesve të shërbimeve, nuk ndryshoi pasi në vitin që lamë pas stoku shënoi 1721 biznese, pa ndryshuar në raport me një vit më parë. Rënie pësuan bizneset që operonin në akomodim dhe shërbim shëndetësor, ku u regjistruan 33 biznese më pak.

Të mëdhave iu vihet dryni, të vegjlit provojnë fatin

Për fat të keq, 2018-a nuk ishte aspak pozitiv për sa i përket bizneseve të huaja, të cilët kishin mbi 50 punonjës në listëpagesat e tyre. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se në fund të 2018-s, kishte 73 biznese (me mbi 50 të punësuar) më pak të cilat kontribuonin në punësimin në vend. Me gati 20% janë pakësuar edhe bizneset me 10-49 të punësuar, ku rreth 100 prej tyre iu vunë drynin ndërmarrjeve në Shqipëri.

Rënie kanë shënuar edhe ndërmarrjet me 5-9 të punësuar, me 39 ndërmarrje më pak në fund të vitit.

Nga krahu tjetër, më shumë biznese të vogla të huaja me 1-4 të punësuar kanë vendosur që të provojnë fatin në Shqipëri. Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë 2018-s kishte rreth 180 ndërmarrje aktive më shumë. /Monitor/