Biznesi aplikonte çmime të ndryshme nga ato që deklaronte, Ministrja zbarkon në Golem

Një biznes në Golem është gjobitur për shkak se aplikonte çmime të ndryshme në faturën tatimore, nga ato që i ofroheshin klientëve. Ministrja Anila Denaj gjatë inspektimit ka paralajmëruar bizneset se një gjë e tillë është e kundërligjshme, pasi është e detyrueshme që çmimet që janë të afishuara në ambiente lehtësisht të dallueshme duhet të jenë të njëjta edhe në kupon tatimor.

“Shpesh klientët nuk kanë mundësi ta bëjnë diçka të tillë, por ju duhet ta zbatoni si pjesë të modelit tuaj të biznesit. Duhet të respektoni 100% detyrimin që çmimet e afishuara të jenë të vendosura edhe në faturë. Nuk ju ndihmon aspak një gjobë apo një shirit i vendosur, pasi i gjithë imazhi që ju ndërtoni për këtë model biznesi, për një faturë apo për dy fatura, që në mënyrë të njëpasnjëshme janë në shkelje të ligjit, ju dëmtojnë për përballë konkurrencës. Më duhet të qartësoj se inspektimi nuk ndodh çdo ditë në të gjitha bizneset, ka një arsye pse ishit ju, përtej emrit të përveçëm, përtej biznesit dhe është transaksioni në vëllim të caktuar. Nesër mund të jetë një biznesi tjetër. Në fund të ditës ne duhet t’i vendosim të gjithë para një situate, ku çdo gjë që është në politikën tuaj të çmimeve të afishohet dhe të aplikohet edhe në faturën tatimore”, tha zj.Denaj.

Ministrja i bëri thirrje biznesit që të respektojë ligjet, në mënyrë që të shmangen shkeljet, vendosja e shiritave apo edhe mbyllja e biznesit. Ajo theksoi se sipërmarrjet që operojnë në fushën e akomodimit duhet të përfitojnë nga lehtësitë fiskale që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, siç është reduktimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në masën 6%, për të përmirësuar shërbimet dhe për të rritur ofertën turistike, gjë e cila ndihmon në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.