Ç’do të ndodhë me kasat fiskale? Zëvendësministri tregon gjithçka

Bazuar në një projektligj të Ministrisë së Financave u diskutua se do të ndryshohej tërësisht sistemi përmes të cilit biznesi dokumenton dhe raporton aktivitetin e tij tek tatimet duke nxjerrë kështu jashtë loje kasat fiskale.

Por pas shqetësimit të ngritur nga biznesi i vogël, Ministria e Financave ka sqaruar se për një kategori të caktuar biznesi do të ketë një program falas që nuk do të ketë kosto.Ndërsa theksoi se sistemi i ri nuk e përjashton përdorimin e kasës fiskale.

Bizneset e vogla që do të kenë një numër të kufizuar transaksionesh do të mund të përdorin një program falas për faturimin elektronik.

Zëvendësministri, Elton Haxhi, bën me dije se një kategori e caktuar biznesesh nuk kanë nevojë që të instalojnë pajisjet fiskale pasi mund të përgatisin faturat e tyre direkt në platformë.

Elton Haxhi:  API falas është një hapësirë në platformën që do të ofrojë sistemi, i cili mund të përdoret nga një kategori e caktuar e biznesit të vogël, të cilët kanë një numër të caktuar transaksionesh dhe ata nuk kanë nevojë të instalojnë pajisje fiskale. Mund ti përgatisin faturat e tyre direkt në platformë dhe njëkohësisht dhe fiskalizimi ndodh nëpërmjet platformës. Këta kategori tatim-paguesish të cilët do të jenë biznesi i vogël me një numër të kufizuar transaksionesh do përcaktohen me VKM, nuk do të ketë asnjë kosto.

Ndër të tjera zëvendësministri nuk përjashtoi faktin e përdorimit të kasave fiskale.

Elton Haxhi: Nuk e përjashton. Sistemi i ri është një zgjidhje teknologjike, e cila i mundëson edhe kompanive të kasave aktuale që të përditësojnë softëaren e tyre në mënyrë që të komunikojnë me sistemin e ri.

Projekti për fiskalizimin është parashikuar që të ketë disa faza.