“Daja” nga Kosova del sot para Krimeve të Rënda

Ragip Hajdini, personi i gjashtë i arrestuar për milionat e eurove të grabitura në Rinas pritet të dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për tu njohur me masën e sigurisë.

50-vjeçari nga Peja e Kosovës i njohur dhe me pseudonimin “daja nga Kosova” dyshohet se ka siguruar furgonin që u modifikua në Elbasan, duke i vendosur mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.

Para grupit hetimor, Hajdini nuk ka dhënë sqarime lidhur me rolin e tij në grabitjen e disa miliona eurove të datës 9 prill në aeroportin e Rinasit.

Policia e Shtetit vuri në pranga Hajdinin pas dëshmisë së Alkond Bengasit, i cili deklaroi para hetuesve se ishte një shqiptar i Kosovës që shoqërohej me Admir Muratajn.

Lidhur me këtë rast policia shqiptare ka bashkëpunuar dhe me autoritetet kosovare duke shkëmbyer informacione, nga ku ka rezultuar se Hajdini është me precedent të mëparshëm kriminal.

50-vjeçari nga Peja është i dyshuar për grabitjen e 25 kilogramëve ar nga dhoma e dëshmive në policinë e Pejës, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2012, por dhe për grabitjen e një argjendarie në Dibër të Madhe në korrik të 2014-ës.

Për grabitjen e miliona eurove në Rinas deri më tani janë arrestuar Elton Pikli, Oltjon Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula dhe Saimir Çela.