Duke folur për rritjen e kriminalitetit në vend, ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Aleks Hajdari ka zbuluar detaje edhe nga vrasja e ish-policit, Santiago Malko.
Sipas tij, kostoja e krimit është shumë e lartë, duke përfshirë një numër të madh njerëzish. Hajdari ka thënë më tej se Malko lëvizte prej 6 muajsh me makinë të blinduar, ndërsa ditën e vrasjes nuk lëvizte me atë makinë.
“Nëse i referohemi skemës së krimit, kostoja është e lartë. Tregon që është i përfshirë një numër i madh njerëzish. Është shpenzuar shumë kohë. Nga informacionet që unë kam ka pasur 6 muaj që lëvizte me makinë të blinduar, vetëm atë ditë jo. Kjo lidhet dhe me informacionet që marrin grupet kriminale.
Ajo që më shqetëson mua është se akoma sot, organizata e policisë vazhdon e kryen analiza sa vrasje janë kryer. Vrasjet e fundit janë vrasje mafioze, për zotërim territori dhe për kontrollin e linjave të trafikut të drogës. Të ndodh një ngjarje e tillë, në Tiranë do të thotë që policia nuk po e bën punën si duhet”, tha Aleks Hajdari.
Ndërsa gazetari Artan Hoxha ka thënë se Malko nuk ishte më punonjës i policisë pyjore, siç doli më herët në media.
“Ka qenë punonjës i policisë pyjore në Kukës dhe në 3 janar 2019 ka kërkuar dorëheqjen. Në kërkesën e dorëheqjes thotë për arsye personale”, u shpreh Hoxha në “Opinon”.
Santiago Malko u qëllua me breshëri plumbash mbrëmjen e27 gushtit, në zonën e Xhamllikut teksa po lëvizte me makinë e tij BMW X5.

