Debate të nxehta te Shëndetësia, Braho dhe Tom Doshi kryqëzojnë Ministren për ‘Farmakopenë’

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka mbledhur ditën e sotme Komisionin e Shëndetësisë, ku u miratuar në parim projektligji për aderimin e konventës e ‘Farmakopesë europiane’ në vend.

Manastirliu tha në Komisionin se zbatimi i standardeve të ‘Farmakopesë Evropiane’ edhe në Shqipëri do të garantojë standardin europian për barnat që prodhohen dhe qarkullojnë në Shqipëri.

Sipas Manastirliut, ‘Farmakopeja’ do të jetë “bibla” referuese për analizimin, regjistrimin, importimin dhe prodhimin e barnave.

Ministrja deklaroi se investimi që po kryhet në laboratorët e kontrollit të barnave në vend, i shërben garantimit të këtij standardi.

“Dy laboratorët e rinj që po ndërtohen dhe pajisen me aparatura moderne në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të sigurojnë zgjerimin e gamës së analizave për kontrollin e cilësisë së barnave”, tha Manastirliu.

Por menjëherë pas fjalës së ministres, fjalën e ka marrë deputeti i PS, Spartak Braho.

Braho në fjalën e tij tha se vendi ynë është pre e mafies së barnave që ekziston në Europë, dhe se qytetarë nuk ankohen kot për cilësinë e barnave.

“Mesa kuptuam nga ministrja, akoma s’kemi laborator. Keni dëgjuar që në Europë ekziston mafia e barnave dhe Shqipëria ka qenë pre e kësaj mafie. Njerëzit nuk ankohen kot për cilësinë e barnave. Është një vendim i domosdoshëm i qeverisë që të bëhet pjesë e kësaj konvente”.

Por ministrja e Shëndetësisë ka reaguar menjëherë duke thënë se në Shqipëri nuk ka laborator të cilësisë së lartë, por kontrollohen të gjithë substancat që kontrollojnë barnat në vend.

Braho nuk është ndalur me kaq, por e ka pyetur ministres edhe për shpenzimet që do të paguhen për ngritjen e dy laboratorëve.

Manastriliu iu përgjigj se është vendosur një buxhet prej 1 milionë euro.

Bashkim Fino gjithashtu i është bashkuar debatit me ministren, duke e pyetur:

“A nuk kishim mundësi të futeshim më shpejt në aderim? Pse pritëm 70 vjetorin e Këshilit të Europës”?

Ndërsa Tom Doshi i ka kërkuar ministres të sqarojë publikun se nuk kanë munguar laboratorët deri më sot, por thjesht po shkoni drejt përmirësimit.