Pas platformës së Alibeajt për bashkimin e demokratëve, ka ardhur reagimi i menjëhershëm i deputetit Luçiano Boçi. Ky i fundit me anë të një statusi në rrjetin social “facebook”, Boçi deklaron se platformat individuale të cilat nuk kanë miratimin e grupit parlamentar të PD-së, sjellin përçarje.
Reagimi i Boçit:
PLATFORMË ME KONSPEKT
Platformat individuale që nuk kanë miratimin e Kryesisë së Grupit Parlamentar e të vetë Grupit Parlamentar edhe sikur të pikuara nga qielli të jenë, sjellin vetëm dasi e përçarje.
Integriteti i Grupit Parlamentar, i dëshmuar në mbledhjen e tij, nuk mund të shpërdorohet e të keqpërdoret duke hedhur si konsum mediatik e publik, në formën e konspekteve, ato mendime të shkëputura që i shkojnë për shtat vetëm hartuesve të platformës.
Bashkimi është një proces politik nëpërmjet votës së lirë që ka nisur e po vazhdon e do të jetë gjithëpërfshirës.
Respektimi i tij është akt bashkimi.
Bashkimi nuk mund të bëhet as me platforma individuale e as me konspekte e nënvizime fjalësh pa kontekst, të shitura si kolegjiale, pa kaluar në asnjë vendimmarrje.

