Deklarata e fortë, ja ç’tha Redjan Rraja pak para arrestimit

Redjan Rraja, i arrestuar lidhur me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, pritet të dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda, për t’u njohur me masën e sigurisë.

Seanca pritet të drejtohet nga gjyqtarja për Krimet e Rënda, Daniela Shirka.

I dyshuari Rraja, sipas burimeve jo zyrtare, ka marrë si avokat mbrojtës avokatin Besnik Cerekja. Disa orë përpara seancës ku do të shqyrtohen kushtet e arrestimit të Redjan Rrajës, avokati i tij i tha gazetares Hoxha se e ka kontaktuar Redjan Rrajën, por avokati u tregua i rezervuar dhe nuk dha asnjë koment mbi çështjen.

Dentisti 34-vjeçar mbahet në ambientet e Policisë së Tiranës, shpjegoi gazetarja Hoxha, dhe pritet të shoqërohet në mesditë në Gjykatë nën masa të forta policore.

I pyetur më herët për ngjarjen, Rraja ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë sipas burimeve “se po largohej me makinën e tij drejt Italisë për punë personale”.

Gjurmë të Rrajës dhe personave të tjerë u gjetën në një automjet të braktisur në një fshat të Durrësit, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes gjatë sulmit.

Redjan Rraja dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, sulmoi të premten pas mesdite me breshëri armësh automatike nga një automjet në ecje përgjatë autostradës Durrës – Tiranë prokurorin 42-vjeçar Arjan Ndoji, i cili udhëtonte me shoferin e tij Andi Maloku dhe 46-vjeçarin Pëllumb Muharremi, me emrin e ri Aleksandër Laho.

Ndoji mbeti i plagosur, por është jashtë rrezikut për jetën, si edhe Laho. Shoferi Andi Maloku është në gjendje më të rëndë nga plumbat në pjesë kritike të trupit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet bazuar në tre akuza nga vrasja në bashkëpunim e funksionarëve publikë, e mbetur në tentativë, tek vrasja ndaj dy a më shumë personave, e natyrisht edhe për armëmbajtje pa leje.