fbpx

Deklarimi i të ardhurave personale, në 2021 individët paguan 8 milionë euro shtesë, afati 30 prilli

TAKSAT-DEKLARIMET_frame_1232-1280x720.jpg

8 milionë euro më shumë janë futur në buxhetin e shtetit nga individët me paga të larta gjatë vitit 2021. Këta të fundit, përveçse paguan taksat e pagave në pagesat e tyre mujore, u paguan tatimeve vitin e kaluar për deklarimet e vitit 2020 edhe 1 miliard lekë ose rreth 8 milionë euro të tjera shtesë në formën e TAP-it.

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të ardhurat nga tatimi i deklaratave personale në vitin 2021 shënuan rritje vjetore me 98%. Kjo rritje erdhi prej përfshirjes se të dy punësuarve në një deklarim të vetëm për efekt tatimi. Ndërkohë që për të bërë deklarimet për vitin 2021, individët me paga të larta apo të dypunësuarit kanë afat deri më datë 30 prill.

Tatimi mbi të Ardhurat Personale është një ndër taksat kryesore në buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave të qendrës studimore Altax, nëpërmjet këtij tatimi sigurohen 11% e totalit të të ardhurave buxhetore, duke e renditur TAP-in në taksën e tretë që siguron më shumë të ardhura, pas TVSH-së dhe Tatimit mbi Fitimin.

Që prej vitit 2013, kur në pushtet erdhën socialistët, në fuqi është taksa progresive për tatimin e të ardhurave personale.

Rajoni është i ndarë përsa i përket modelit të taksimit. Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnje Hercegovina kanë taksë të sheshtë 10%; Serbia ka taksim progresiv me dy fasha: 19 dhe 25%. Ndërsa ne në tetë vitet e fundit kemi pasur taksim progresiv me dy fasha 13 dhe 23%.

Ndërkohë që nga 1 prilli kanë hyrë në fuqi ndryshimet në taksën progresive. Kështu përjashtohen nga taksa pagat deri në 40 mijë lekë; pagat nga 30-50 mijë lekë do të paguajnë 6.5% tatim; pagat mujore 50 deri në 200 mijë lekë do të paguajnë 13%, ndërsa pagat mbi 200 mijë lekë të tatohen me 23%.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303