Kryebashkiaku i Gjirokastër, Flamur Golemi është shenjestruar nga gazetari i njohur, Telnis Skuqi në lidhje me arsimimin e tij.
Sipas gazetarit, Golemi rezulton të mos ketë diplomë gjimanzi dhe për pasojë mendohet se ai nuk e ka përfunduar arsimin e mesëm.
Gazetari ka publikuar në Facebook një statu dhe disa dokumente ku i referohet kryebashkiakut.
Ai shkruan se Golemi jep dy vite të ndryshme për fillimin dhe mbarimin e arsimit të mesëm.
Ai thotë se gjimnazin e Fierit e ka nisur dhe përfunduar nga viti 1992 deri në 1996, ndërsa në deklaratën e tij zyrtare të paraqitur sipas «Ligjit të dekriminalizimit» përmend vitet 1990-1994.
“Kryebashkiaku i Gjirokastrës, 43 vjeç sot, ka harruar ose nuk e ka përjetuar të rininë e tij. Unë e sfidoj kryebashkuan. Jam gati të provoj që ky njeri nuk e ka përfunduar kurrë gjimnazin e Fierit.
Nëse ai provon të kundërtën, atëherë unë do të kërkoj falje publike, si dhe do të tërhiqem nga gazetaria investigative. Nëse ai nuk qartëson rininë e tij, urgjentisht të japi dorëheqjen nga mandati i paligjshëm dhe të shkoj në prokurori për falsifikim të dokumentave zyrtare. Loja fillon,“-shkruan gazetari.


