Dëshironi të punoni në Gjermani? Ambasada: Ja rregullat për vizën

Ambasada Gjermane në Tiranë ka publikuar një njoftim të rëndësishëm për të gjithë ata shtetas shqiptarë që janë të interesuar të pajisen me vizë pune në Gjermani. Nëpërmjet faqes zyrtare, Ambasada shkruan se të gjithë ata që duan të punojnë në Gjermani, fillimisht duhet të pajisen me vizë dhe për këtë duhen ndjekur disa rregulla dhe duhet të plotësojnë një sërë dokumentash. Viza e punës mund të merret në momentin kur qytetari shqiptar do të aplikojë pranë Ambasadës Gjermane në Tiranë përpara se të ndërmerret udhëtimi drejt Gjermanisë.

Rregullat për vizë Gjermane:

Ne duam t’Jua lehtësojmë sa më shumë të jetë e mundur udhëtimin Tuaj për në Gjermani – këtu do të gjeni të gjitha informacionet e rëndësishme rreth aplikimit për lëshimin e vizës si dhe mund të shkarkoni nga kompjuteri formularin e aplikimit si dokument pdf.

Udhëzime të përgjithshme rreth aplikimit për vizë

Personat, që ju drejtohen jashtë territorit të Ambasadës dhe që ju ofrojnë lehtësira në aplikim përkundrejt parave, NUK janë personel i Ambasadës dhe nuk i lidh asgjë me Ambasadën. Krahas kësaj Ambasada këshillon urgjentisht të mos lini takime përmes agjencive të udhëtimit, të ashtuquajtura ‘agjenci vizash’. Rezervimi i një takimi bëhet në mënyrë të pavarur dhe pa kosto përmes faqes së internetit të Ambasadës. Përmes një kërkese me email apo përmes kontakteve të tjera me Ambasadën mund të merrni këshillim të kualifikuar dhe pa kosto lidhur me çështjet e vizave.

Udhëzime rreth aplikimit për vizë afatshkurtër

Që nga data 15.12.2010 për shtetasit e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës hiqet detyrimi i pajisjes me vizë për qëndrime afatshkurtra sipas Nenit 1, Paragrafi 2 i rregullores së qëndrimit. Heqja e detyrimit të vizave vlen vetëm për mbajtësit e pashaportave biometrike.

Formularët e aplikimin për vizë

Rekomandohet, që si për vizat kombëtare ashtu edhe për vizat Schengen të përdoret aplikimi online VIDEX  në funksion të përshpejtimit të procedurave tuaja në sportel. Që prej shkurtit 2020 Ambasada do të pranojë vetëm formularë aplikimesh të plotësuara përmes VIDEX.

Tarifa e vizës

Për shkak të një ndryshimi të ligjit, tarifa për lëshimin e një vize kombëtare (D-Visa) nga data 01.09.2017 do të kushtojë 75€. Tarifa për viza Shengen (C-Visa) mbetet e pandryshuar 60€. Deri më tani edhe përjashtimet nga pagesa e tarifës mbeten gjithashtu në fuqi dhe të pandryshuara. Të gjitha tarifat paguhen sikurse edhe më parë në LEK, sipas kursit aktual zyrtar të këmbimit.

Kohëpritja për aplikantët

Nisur nga një fluks i lartë kërkesash për data aplikimesh për vizë shpërndarja e tyre bëhet me ndihmën e një liste datash dhe oraresh. Lutemi të regjistroni kërkesën tuaj për një takim me qëllim aplikimin për vizë punësimi sipas §26 kreut 2 të Ligjit për Punësimin e të Huajve (‘Rregullorja për Ballkanin Perëndimor’). Datat dhe oraret e intervistave do të caktohen strikt në mënyrë kronologjike sipas regjistrimit.

Koha e pritjes për një datë/orë interviste momentalisht është qartësisht më e gjatë se një vit. Datat dhe oraret për intervista do të jepen për sa kohë që do të jetë i vlefshëm 26 kreu 2 i Ligjit për Punësimin e të Huajve. Sipas kuadrit ligjor aktual ky afat përfundon në 31.12.2020.

Përpara se të kapni telefonin …

Mundësitë e Ambasadës Gjermane në teknikë dhe personel për të dhënë informacione të natyrës konsullore përmes telefonit, për fat të keq, janë të kufizuara. Gjithashtu punonjësit nuk mund të përgjigjen ndërkohë që janë duke punuar në sportel.