Të reja të tjera janë mësuar lidhur me tragjedinë që goditi familjen Gjokola në Librazhd mbrëmjen e kaluar, teksa grupi i hetimit është duke punuar për të mësuar se cili qe shkaku që Daut Gjokola goditi me thikë gruan e tij Lule dhe pastaj vrau edhe veten.
Mësohet se çifti Daut dhe Luljeta Gjokola janë parë nga fqinjët të ngjiten të qetë në ashensorin e pallatit ku kishin apartamentin, ndërkohë që djali i tyre, Eduard Gjokola, 26 vjeç ka shkuar në banesë pak pas orës 22:00.
Burime nga grupi hetimor thanë se djali rezulton të ketë mbërritur në banesë si zakonisht dhe nuk ka kuptuar se me prindërve kishte ndonjë tension. Ata kanë qenë në dhomën e tyre të gjumit kur ai nga kuzhina ku ndodhej duke parë televizor ka dëgjuar ulërimat e nënës së tij.
I alarmuar ka hyrë në dhomën e prindërve dhe aty ka gjetur nënën e mbuluar me gjak dhe që të dy ulërinin për ndihmë. Zhurmat e mëdha kanë alarmuar fqinjët, të cilët kanë ndërhyrë për ndihmë dhe kanë njoftuar policinë.
Fqinjët janë përballur me krimin monstruoz, ndërsa menduan se gruaja kishte pësuar ndonjë aksident dhe e kanë transportuar në urgjencë. Ndërkohë që djali i çiftit në një gjendje të rënduar psikologjike i binte murit me kokë.
Aktualisht gjendja e 26-vjeçarit është e rënduar psikologjikisht dhe ka qenë e pamundur marrja e tij në pyetje.
Vetëm pak minuta më vonë në banesën ku ndodhi ngjarja ka mbërritur policia, e cila ka gjetur në dhomën e gjumit djalin me babain, ndërkohë që ky i fundit sapo ka dëgjuar emrin e tij, nuk është përgjigjur.
Në një gjendje shoku, Daut Gjokola ka bërë disa hapa pas dhe ka hapur derën e ballkonit dhe është hedhur nga kati i 4. 53-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

