Një delegacion francezo-gjerman do të vizitojë sot Kosovën, ku do të takohet me krerë shtetërorë dhe udhëheqësit e ekipit negociator me Serbinë.
Ky delegacion në përbërje ka vetëm zyrtarë përgjegjës për rajonin tonë në ministritë e jashtme të Francës dhe Gjermanisë, të cilët si duket po vijnë në Kosovë për të diskutuar me krerët shtetërorë për Samitin e Parisit.
Fillimisht, delegacioni francezo-gjermanë do të takohet me presidentin Thaçi.
Ky takim mësohet se do të ndodhë në mëngjes dhe do të jetë takimi i parë i tyre, duke vazhduar më pas me kryeparlamentarin Veseli, kryeministrin Haradinaj dhe ekipin për dialog me Serbinë.
Nuk dihet nëse delegacioni do të takohet edhe me liderët opozitarë.
Ndryshe nga Samiti i Berlinit, i cili për shkak të organizimit të shpejtë nuk dha rezultate, përveçse nxori edhe një takim të dytë në Paris, si duket këtë radhë Franca dhe Gjermania po mundohen të marrin garanci nga krerët shtetërorë se do të lëvizet përpara drejt zhbllokimit të dialogut në Samitin e Parisit dhe arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./real-news.tv/

