Djali dhunon dhe kanos babanë, justifikohet para policisë: Armët janë që në ’97, isha…

Djali që u arrestua pasi kanosi me armë zjarri babanë e tij të moshuar, e kishte dhunuar edhe më parë të atin.

Sipas bluve, Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë, arrestuan në flagrancë shtetasin A. N.(T.), 43 vjeç, banues në fshatin Fang, Mirditë. Ky shtetas, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj babait të tij 78-vjeçar, si dhe e ka kanosur me armë zjarri. 43- vjeçari jetonte në një banesë me babanë e tij dhe në momentin e kanosjes, familjarët kanë njoftuar menjëherë Policinë.

Blutë e Mirditës reaguan në një kohë të shpejtë, duke neutralizuar agresorin dhe duke e vënë menjëherë në pranga atë. Ndërkohë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 43-vjeçarit, atij iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me krehër me 5 fishekë, një armë zjarri automatike model 56 me 2 krehra me 30 fishekë dhe 15 fishekë luftarakë model 56.

I ndaluari është marrë në pyetje nga Policia për të sqaruar motivet që e çonin në dhunimin e babait, pasi sipas burimeve të Policisë, dhuna ka qenë e vazhdueshme. Mësohet se, i arrestuari ka deklaruar para oficerëve të Policisë se, në momentin e ngjarjes kur ka kanosur babain e tij, ka qenë nën efektin e alkoolit, ndërsa për armët ka shtuar se janë që prej trazirave të vitit 1997.

“Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë, arrestuan në flagrancë shtetasin A. N.(T.), 43 vjeç, banues në fshatin Fang, Mirditë. Ky shtetas, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj babait të tij 78-vjeçar, si dhe e ka kanosur me armë zjarri”, bëhet e ditur nga Policia. Në lidhje me rastin po vijojnë hetimet, ndërsa materialet procedurale në ngarkim të tij, iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë, për veprat penale: “Dhuna në familje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Rastet e dhunës në familje janë rritur gjatë viteve të fundit në qarkun e Lezhës dhe në të njëjtën kohë është rritur edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të denoncuar dhunën. Thuajse çdo ditë në komunikatat e Policisë ka persona të proceduar apo dhe arrestuar për dhunë kryesisht ndaj grave të tyre. Nga ana tjetër edhe organet e drejtësisë kanë vepruar me duar të hekurta në shumicën e rasteve, duke i lënë agresorët në burg.