Kryeministri Edi Rama ka publikuar pak më parë në Facebook audion e telefonatës që zhvilloi sot me Presidentin e Ukrainës. Sikurse dëgjohet në audio, Rama i shpreh Zelenskiyt se do donte të kishte mundësi të bënte më shumë për Ukrainën.
Në postim Rama shkruan se Zelensky e falenderoi poullin shqiptar për kontributin në këto ditë dhe se Shqipëria me përmasën e saj të vogël do të jetë krahas aleatëve të tjerë për të garantuar trimufin e Ukrainës.
“Sot pata një telefonatë nga Presidenti Zelensky, i cili më falenderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Europën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës.
I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse🇦🇱💔🇺🇦”, shkruan Rama.

