Ditën e sotme, KQZ ka miratuar regjistrimin si subjekt zgjedhor të 11 partive për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie të datës 6 Mars. Për regjistrimin e koalicione, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi tha se partitë kanë në dispozicion 24 orë kohë.
“Miratohet regjistrimi i PS, PD. Miratohet regjistrimi i LSI, si subjekt, vendosim vetëm LSI, nuk e keni partia më duket. S’e mbaj mend në zgjedhjet e 25 prillit e keni vetëm lsi etj. Sikurse është e parashikuar dhe në aktin përkatës të KQZ brenda 24 orëve partitë kanë të drejtën për të paraqitur kërkesën për tu regjistruar si koalicion. Kërkesat paraqiten jo më vonë se 24 orë nga momenti kur është marrë vendimi për regjistrimin e partive”, tha Celibashi.
Partitë e regjistruara
Partia Socialiste të Shqipërisë
Partia Demokratike të Shqipërisë
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim
Partia Lëvizja e Re
Partia Fryma e Re Demokratike
Partia Kristian Demokrate
Partia Demokristiane e Shqipërisë
Partia e Reformave Demokratike të Shqipërisë
Partia Bashkimi Demokrat
Partia Lëvizja e Legalitetit
Partia Balli Kombëtar Demokrat
Ajo që vihet re është se kreu i PAA-së, Agron Duka, ai i PR-së, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi i LZHK-së dhe kreu i PBDNJ Vangjel nuk janë regjistruar si subjekte zgjedhore për të garuar në zgjedhje. Përfaqësuesi Ligjor i PD Marash Logu i kërkoi kreut të KQZ që të nisë një hetim duke thënë se bashkia e Durrësit në prag të zgjedhjeve ka nisur shpërndarjen e granteve të rindërtimit.
“Ka qarkulluar një lajm që bashkia Durrës ka shpërndarë grantet e rindërtimit. Ka qenë një shqetësim madhor që PD e ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme përdorimin e fondeve për arsye zgjedhore. Këto grante po shpërndahen në prag të zgjedhjeve në bashkinë Durrës. Për atë që ka qarkulluar në media dhe të dyshimit tonë të fillohet një hetim”, tha Logu.
I vetmi koalicion i konfirmuar deri tani për zgjedhjet është ai ku do të jetë LSI dhe partia e Nard Ndokës, që do të mbështesin kandidatët e Komisionit të Rithemelimit. Në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit do të votohet për kryetarët e 6 bashkive; Durrës, Shkodër, Dibër, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë.

