E mbushte ishullin e Kretës me kallashnikovë nga Shqipëria, kapet greku trafikant

1212-1-600x360.jpg

Zbardhen të tjera detaje për trafikun e armëve nga Shqipëria drejt Greqisë me destinacion përfundimtar ishullin e Kretës. Rolin kryesor për trafikun e kallashnikovëve AK-47 e kishte një 59-vjeçar grek, që tashmë është i arrestuar. Ai ishte një nga furnizuesit kryesorë të armëve në ishullin e Kretës.

59-vjeçari kishte udhëtuar disa herë në Shqipëri. Udhëtimet e tij të shpeshta drejt vendit tonë kishin tërhequr vëmendjen e autoriteteve greke. Hetimet nisën në Nëntor të vitit 2018, kur agjentët e policisë greke filluan të vëzhgonin nga afër lëvizjet e 59-vjeçarit. Përgjimi i tij çoi në zbulimin e aktivitetit kriminal dhe identifikimit të anëtarëve të tjerë të kësaj organizate që vepronte në dy grupe.

Grupi i parë ishte aktiv në Greqi, kurse i dyti në vendin tonë. 59-vjeçari grek merrte porositë për armë nga blerësit në Kretë. Ai përdorte ndërmjetës për porositë dhe asnjëherë nuk ka patur kontakt të drejtpërdrejtë me një blerës. Pasi merrte porosinë nga ndërmjetësit, 59-vjeçari vihej në lëvizje. Ai udhëtonte vetë drejt Shqipërisë për të organizuar planin dhe për të rregulluar ngarkesën e armëve.

Përmes kontakteve të tij me furnitorët shqiptarë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, sigurohej sasia e armëve dhe municioneve në vendin tonë. Këtu hynin në lojë 5 të dyshuarit shqiptarë, të cilët kishin për detyrë gjetjen e këtyre armëve. Kur porosia ishte gati, 59-vjeçari njoftonte dy bashkëpunëtorët e tij grekë, 55 dhe 64 vjeç. Këta dy të fundit ishin transportuesit. Ata merrnin ngarkesën dhe paguanin shqiptarët që i furnizonin me armë. Më pas, me automjete private transportonin arkat me municione dhe kallashnikovë drejt Greqisë. Me një makinë tjetër, përpara tyre qëndronte 59-vjeçari, i cili printe rrugën. Gjatë gjithë udhëtimit, ai shoqëronte në distancë ngarkesën e armëve deri në destinacion, në ishullin e Kretës. Më pas porosia dorëzohej sërish përmes ndërmjetësve, përcjell klan.

Nga operacioni i policisë greke u arrestuan 6 pjesëtarë të këtij rrjeti, të gjithë grekë. Në kërkim janë shpallur 10 të tjerë, ndër të cilët 5 janë shqiptarë. Të dhënat e këtyre të fundit janë shpërndarë pranë policive të vendeve fqinje si dhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Gjatë këtij aksioni, policia greke sekuestroi kallashnikovë, pushkë dhe 122.566 fishekë.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303