E shkuara problematike e djalit të policit të vrarë në Gjermani: Kur ishte 15 vjeç…

Screenshot_1-28.png

Keidi Pasha djali i punonjësit të Policisë, që u vra me armë zjarri në Gjermani, ndërkohe që u plagos rëndë kushëriri i tij, rezulton person me precedentë të mëparshem në vendin tonë.

Ai ka emigruar në Gjermani prej disa vitesh, ku kishte nisur dhe të shkollohej për të marrë një profesion.

20- vjeçari në Shqipëri rezulton person me precedentë, pasi në vitin 2014 është arrestuar për armëmbajtje pa leje.

Në atë kohë vetëm 15 vjeç, Keidi u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë me 3 vite 6 muaj burg. Arrestimi i tij u krye në Burrel, pas njoftimit të marrë nga Policia se një grup të rinjsh po kryente qitje me armë.

Çështja u dërgua në Gjykatën e Apelit nga Pasha me kërkesën se në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë i mitur.

Në nëntor 2011, Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi vendimin, por urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë për një periudhë prej 2 vitesh.

NGJARJA

Keidi Pasha, 20 vjeç, është qëlluar për vdekje me armë zjarri mbrëmjen e 13 gushtit në Wenden, një qytet mes Hanoverit dhe Volvsburgut. I riu nga Burreli ishte bashkë me një kushëri të tij, në momentin kur u qëllua me armë nga një person nga një makinë në lëvizje.

Nga plumbat Pasha ndërroi jetë në spital, kurse i afërmi i tij mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë. Keidi Pasha mësohet se është djali i punonjësit të Policisë Rrugore në Burrel, Arben Pasha. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, fillimisht ka pasur një konflikt mes disa personave që ka nisur në një lokal në pronësi të dy shqiptarëve të tjerë. Konflikti ka vijuar edhe më tej, ndërsa ndaj dy të rinjve u qëllua me armë në momentin kur po ecnin në trotuar.

Autorët u arratisën, ndërsa kanë qenë kalimtarët, ata të cilët njoftuan Policinë. 20-vjeçari dhe miku i tij u transportuan me urgjencë në spital në gjendje të rëndë. 20-vjeçari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve, kurse kushëriri i tij, rreth 30 vjeç, ndodhet në gjendje kritike. Një dëshmitar okular i tha Policisë gjermane se dëgjoi të paktën 6 të shtëna me armë zjarri.

Nga burime policore mësohet se trupi i të ndjerit nuk është sjellë ende në Shqipëri, ndërsa autoritetet gjermane kanë kryer ekspertizën mjeko-ligjore. Shkaqet e vrasjes janë të paqarta. Policia gjermane është duke hetuar motivet e konfliktit, që besohet se nisi fillimisht në një restorant, si dhe po punon për të identifikuar autorët. Policia gjermane po kërkon për foto dhe video nga momenti i ngjarjes.

Hetuesit shpresojnë që banorët ose kalimtarët e rastit të kenë fotografuar diçka në kohën e krimit, në mënyrë që pamjet më pas të çojnë në zbulimin e autorëve. “Ne po kërkojmë regjistrime video dhe fotografi të bëra midis orës 8 dhe 11 pasdite, në vendin e ngjarjes në Meinstraße”, tha Policia. Hetuesit janë duke u përpjekur për të siguruar foto nga celularët ose kamerat private të sigurisë. Sekuencat filmike të të ashtuquajturave “Dashcams”, të cilat janë instaluar në makina, janë të dobishme. Për më tepër, Policia është në kërkim të një automjeti që u largua të martën në mbrëmje rreth orës 22:00, sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes. Hetuesit gjermanë nuk kanë ende një pistë për vrasjen e 20- vjeçarit nga Burreli.

Ndërkohë, autopsia ka vërtetuar se i riu ka ndërruar jetë si pasojë e një plage me armë zjarri, që rezultoi fatale për jetën e tij. Ndërsa Keidi Pasha u gjet i shtrirë në tokë nga Policia, kushëriri i tij ishte fshehur në një ndërtesë për t’u shpëtuar plumbave. Një zëdhënës Policie është shprehur se hetimet po zhvillohen në shumë pista dhe ngjarja është e paqartë ende. “Kemi një ngjarje goxha të paqartë. Po hetojmë në të gjitha drejtimet”, tha zëdhënësi. PANORAMA

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303