fbpx

“Edhe të sëmurët rëndë me Covid-19 mund të shpëtohen, mjafton vetëm…”

Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu ka publikuar një status në rrjete sociale, i cili shkruan se edhe të sëmurët rëndë me Covid- 19 mund të shpëtohen, nëse serioziteti i qeverisë dhe gjithë institucioneve është maksimal, dhe askush nuk merret me fasada.

Ja postimi i Shehut:

Së pari dëshiroj të përgëzoj mjekët e veçanërisht grupin e reanimatorëve të Spitalit “Shefqet Ndroqi” e drejtuesen e tyre Dr. Cani, apo pneumologen Dr. Bala etj për shpëtimin e jetës së sëmurit me komplikacione e kondita tejet të renda A.D, mbas një lufte e periudhe të gjatë intubimi.

Në fakt ky nuk është suksesi i parë i tyre i tillë, megjithë kushtet strukturale, teknologjike e mbulimit me personelin e përshtatshëm të atij reanimacioni shumë larg standarteve europiane; pikërisht në sajë të profesionalizmit e angazhimit njerëzor të atyre kolegëve, tablo që takohet shpesh edhe në repartin infektiv të QSUT.

Kjo na çon në disa konkluzione të realizueshme për të shpëtuar shume jetë njerëzish dhe jo vetëm një ose dy:

—Domosdoshmëria e përdorimit në këtë përballjeve edhe të posteve më të mira të reanimacionit që kemi në QSUT, Spitalin e Durrësit, Shkodrës, Vlorës etj, të cilat tashmë duhej të ishin rikonstruktuar për këtë gjë.

—Instalimi i rreth 150 posteve të reja të gatëshme reanimacioni në vend, gjë dhe kjo që duhej të ishte te realizuar prej disa muajsh.

—Zgjerimi i shtretërve speciale kundër Covid në nivel vendi, sepse ato dy ambjente që janë deri tashmë nuk mund ta përballojnë nevojat aktuale e as ato që probabilisht do të përballemi në muajt e ardhshëm.

—Forcimi i mjekut të familjes për mjekimin ambulator të rimbursuar financiarisht të të sëmurëve dhe dhënien e alarmit për hospitalizim në kohë.

I sëmuri AD kishte disa ditë me probleme serioze në shtëpinë e tij, për të cilat nuk mund ta ndihmonte “sistemi 3D alo, alo”, gjë për të cilen ai u shtrua në spital me vonesë, edhe kjo prej impenjimit të kolegëve të Sanatoriumit, që duke “shkelur” disa rregulla absurde te “alo, alo”, kontribuan në shpëtimin e një jete njerëzore.

Të gjitha këto mund të realizohen me impenjim, vullnet politik e vizion për të bërë të mundur që shifrat tona të vdekshmerisë t’u afrohen atyre të pranueshme për Europën edhe për rastet më të renda Covid…por jo duke vazhduar vetem me fasada në 3D.