Ekonomia u tkurr me 2.5%, guvernatori Sejko: Pasojat e pandemisë vijojnë të jenë të pranishme.

sejko.jpg

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një konferencë për shtyp dha detajet lidhur me situatën ekonomike në vend dhe efektet që ka shkaktuar pandemia.

Sipas guvernatorit Sejko,ekonomia ka qenë nën efektin e fortë të COVID-19 gjatë tremujorit të dytë, pasojat e të cilës vijojnë ende të jenë të pranishme.

“Reduktimi i kërkesës së brendshme e të huaj dhe kufizimi i aktiviteteve prodhuese e shërbyese në vend, kanë sjellë rënie të prodhimit, rritje të papunësisë dhe vështirësi financiare për bizneset dhe familjet shqiptare. Hapja progresive e ekonomisë, lehtësimi i masave të distancimit social si dhe ambienti i qëndrueshëm monetar e financiar i vendit, krijojnë premisa për rikuperimin gradual të aktivitetit ekonomik në tremujorët në vazhdim”, u shpreh guvernatori.

Sipas vlerësimeve të Këshillit Mbikqyrës, ekonomia shqiptare u tkurr me 2.5% në tremujorin e parë të këtij viti, duke pasqyruar rënien e eksportit dhe të investimeve.

Guvernatori i BSH foli dhe për kreditë për sektorin privat, ku janë shënuar rritje në muajt prill dhe maj, kryesisht në biznese, për të përballuar krizën.

“Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit në 0.50%. Sektori bankar ka marrë mbi vete një pjesë të kostos financiare të goditjes, duke lehtësuar më tej barrën për sektorin publik dhe privat. Kredia për sektorin privat vijoi të shënojë rritje në muajt prill e maj, rritje e cila ka qenë e pranishme kryesisht në sektorin e bizneseve. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se sektori bankar është duke ushtruar funksionin e tij të amortizuesit të goditjeve në ekonomi, duke vijuar të kreditojë sektorin privat të ekonomisë, e në veçanti atë të bizneseve. Raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 8.1% në muajin maj, duke shënuar një rënie të mëtejshme krahasuar me tremujorin paraardhës”, përfundoi Sejko.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303