Një 21-vjeçar ka rënë në pranga nga policia e Durrësit, pasi falsifikonte siguracionin e makinave.
Bëhet me dije se janë denoncuar plot 13 raste mashtrimi, ku autoritetet kanë hetuar për plot 2 muaj.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës, pas denoncimeve të shumta të qytetarëve që udhëtonin nga Bari, Itali për në Shqipëri me automjete dhe kishin prerë siguracion për automjetet e tyre në portin e Barit, të cilat pas kontrollit nga Policia kishin rezultuar të falsifikuara, referoi materialet në Prokurori dhe regjistroi procedimin penal për zbardhjen e këtyre rasteve.
Pas një hetimi dymujor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës finalizoi operacionin policor “Siguracioni”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit F. B., 21 vjeç, banues në Dibër, për veprat penale “Falsifikimi i letrave me vlerë”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.
Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas gjatë muajit korrik 2019, në Portin e Barit, Itali, ka falsifikuar 13 Siguracione (TPL), në emër të shoqërive të ndryshme sigurimi, për automjetet që hyjnë në Shqipëri.
Ndërkohë po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar. Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

