Fëmijët jetimë, Meta: Realitet i papranueshëm! Kambanë alarmi për politikën

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi organizatën SOS Fshatrat e Fëmijëve Ndërkombëtarë me Dekoratën “Nënë Tereza” për kontributin e vazhdueshëm në ndihmë të fëmijëve dhe të rinjve që e kanë humbur kujdesin prindëror.

Gjatë fjalës së tij Meta kishte një mesazh të fortë edhe për politikën.

“Ky realitet i papranueshëm duhet të jetë një kambanë alarmi për të gjithë ne, shtetin, politikën dhe shoqërinë, pasi shtresat pa përkrahje duhet të kenë të njëjtën mundësi jetese, punësimi, strehimi dhe mirëqenie si pjesa tjetër e shoqërisë.

Shqipëria nuk duhet të jetë vendi i shpresave të thyera, ku shkelen të drejtat bazike të fëmijëve dhe ku varfëria i frenon brezit të ri zhvillimin normal dhe ndrydh ëndrrat e tyre të lira që në fëmijëri.

Shoqëria shqiptare duhet të përgatisë qytetarë me integritet, të shtyrë dhe frymëzuar nga ndjenja e barazisë, të aftë dhe të devotshëm për të realizuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre, por edhe për t’i shërbyer atdheut” tha ai ndër të tjera.