FIFA konfirmon se Kupa e Botës nuk do të ketë 48 ekipe por 32

Presidenti i FIFA-s , Gianni Infantino ende shpreson të rrisë numrin e ekipeve pjesëmarrëse nga 32 në 48 skuadra, por vetëm për Kupën e Botës 2026 në Amerikën e Veriut.

 

“Në përputhje me konkluzionet e studimit të fizibilitetit të miratuar nga Këshilli i FIFA-s në takimin e tij të fundit, FIFA dhe Katari kanë hulumtuar së bashku të gjitha mundësitë për të rritur numrin e ekipeve pjesëmarrëse nga 32 në 48 ekipe duke përfshirë vendet fqinjë në Kupën e Botës Katar 2022”, thuhet në deklaratën e FIFA -s.

“Pas një procesi të plotë dhe gjithëpërfshirës të konsultimit me përfshirjen e të gjithë akterëve relevantë, u konkludua se në rrethanat e tanishme një propozim i tillë nuk mund të bëhet tani.

Një analizë e përbashkët në këtë drejtim arriti në përfundimin se për shkak të fazës së përparuar të përgatitjeve dhe nevojës së një vlerësimi të hollësishëm i ndikimit të mundshëm logjistik në vendin pritës, do të kërkohej më shumë kohë dhe një vendim nuk mund të merrej para afatit të qershorit. Prandaj, u vendos që të mos e vazhdoj më tej këtë mundësi.

Kupa Botërore e FIFA-s Katar 2022 do të vazhdojë të mbetet ashtu siç është planifikuar fillimisht me 32 ekipe dhe asnjë propozim nuk do të dorëzohet në Kongresin e ardhshëm të FIFA më 5 qershor”.

 

Kështu mbyllet njoftimi i FIFA-s duke hedhur poshtë idenë e rritjes së ekipeve pjesmarrëse në Kupën e Botës në Katar./real-news.tv