“Fluturon, fluturon Ronaldo”; ja sa kërceu ylli portugez te goli në derbi

Cristiano Ronaldo shpëtoi nderin e Juventusit në derbin e zjarrtë të Torinos. Ylli portugez e barazoi rezultatin (1-1) në stadiumin “Allianz”, të premten në mbrëmje.

Torino kaloi në avantazh me anë të Lukic, pas një gabimi të Pjanic, në minutën e 18-të. “Zonja e Vjetër” pati vështirësi ndaj rivalëve të të njëjtit qytet, ndoshta i mungoi edhe motivimi i duhur, sepse e ka fituar tashmë titullin kampion, por doli në pah ambicia e pakufi e CR7.

Ai “fluturoi” në ajër në minutën e 84-t dhe e goditi me kokë topin, që erdhi si krosim nga ana e majtë e sulmit bardhezi.

E pamundur për mbrojtësin Bremer të ngrihej në lartësinë e portugezit, gjatë dyluftimit me kokë, sepse bëhet fjalë për 2.47 m nga toka (burimi: Sky Tech). Një kërcim i denjë për Michael Jordan, ish-basketbollistin e njohur të NBA. Edhe portieri Sirigu mbeti i shtangur, vetëm nxori topin nga rrjeta e tij.