Autoritetet franceze sot kanë përforcuar masat e sigurisë rreth objekteve fetare, pas sulmeve terroriste në dy xhami të Zelandës së Re, ku si pasojë kanë humbur jetën 49 persona dhe janë plagosur rreth 20 të tjerë.
Ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner sot njoftoi se ka urdhëruar prefektët rajonalë të dërgojnë patrulla dhe të rrisin vëzhgimet mbi objektet fetare, si masë të sigurisë.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron përmes rrjetit social Twitter ka dënuar “krimin e tmerrshëm në xhamitë në Zelandën e Re”, ku shtoi se vendi i tij me partnerët ndërkombëtarë do të punojnë për luftën kundër terrorizmit.
Pas sulmeve në Zelandën e Re, është përforcuar siguria rreth objekteve fetare edhe në Britani.
Shefi i njësitit anti-terror në Britani, Nik Basu deklaroi se është rritur prania e patrullave policore në afërsi të xhamive në Britaninë e Madhe, dhe se janë dhënë këshilla se si të mbrohen qytetarët në raste të tilla./real-news.tv/

