Me ardhjen e një qeverie të re në Romë, Franca dhe Italia kanë një shans unik për të forcuar lidhjet e tyre përmes projekteve të përbashkëta dhe bashkëpunimit më të ngushtë për çështjet evropiane, deklaroi ditën e sotme Ministri Francez i Financave, Bruno Le Maire.
Marrëdhëniet midis Italisë dhe Francës u dobësuan nën qeverinë e mëparshme të Italisë. Parisi e ka kritikuar shpesh politikën e emigracionit, duke tërhequr reagime të zemëruara nga Ministri i Brendshëm Matteo Salvini.
Tensionet mes dy vendeve u rritën shumë në shkurt kur Franca tërhoqi për herë të parë ambasadorin e saj në Itali që nga Lufta e Dytë Botërore, duke fajësuar një mori ofendimesh nga politikanët italianë, të shkaktuara nga vendimi i zëvendëskryeministrit të atëhershëm Luigi di Maio për të takuar anëtarët e “jelekverdhëve” të Francës.
Koalicioni i përbërë nga partia e Salvinit dhe Lëvizja 5-Yjet u rrëzua muajin e kaluar pas 14 muajsh, duke i hapur rrugën 5-Yjeve për të formuar një shumicë të re me Partinë Demokratike Pro-Evropiane (PD).
Duke folur në një konferencë për media, ministri francez i financave Le Maire tha se shpresonte që takimi i tij i parë javën e ardhshme me homologun e tij italian, Roberto Gualtieri, do të hedhë themelet e nismave të përbashkëta.
“Ka shumë projekte në tryezë dhe unë mendoj se ne mund të japim impuls të ri, si për projektet industriale ashtu edhe financiare midis Francës dhe Italisë,” tha ai.
I pyetur nëse roli i Di Maio si ministër i jashtëm në qeverinë e re mund të jetë një pengesë, Le Maire tha:
“Le të mos personalizojmë çështjet ose të gjykojmë veprimet e këtij ose atij ministri”.
Franca dhe Italia tradicionalisht kanë pasur lidhje të ngushta me njëra-tjetrën./real-news.tv/

