fbpx

Garancia sovrane/ Jo të gjithë do e përfitojnë, Shteti do të paguajë interesat

Ka kaluar përmes disa ndryshimeve Vendimi i Qeverisë që lejon aplikimin e bizneseve të mëdha për të marrë kredi të buta në bankat e nivelit të dytë për pagat e punonjësve.

Në vendimin e publikuar në fletoren zyrtare qeveria ka vendosur që të marr përsipër për të rimbursuar interesat për garancinë sovrane për të gjitha subjektet përfituese në të gjitha bankat pra thënë ndryshe shteti do të paguajë interesat e kredive që bizneset do të marrin duke përdorur fondin e garancisë.

‘MFE do t’i rimbursojë Huadhënësit interesat që burojnë nga Huatë e garantuara nga kjoMarrëveshje Garancie një herë në tre muaj, ku tremujori i parë do të fillojë të përllogaritet nga data e bërjes efektive të kësaj Marrëveshjeje’.

Sipas vendimit, nuk do të gjenerohen dhe nuk do të rimbursohen interesa për më shumë se 30 ditë pa pagesë principali nga data që i ka lindur detyrimi Huamarrësit për të paguar principalin sipas Marrëveshjes së Huasë. Gjithashtu huadhënësi çdo 90 ditë nga data e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje do të dërgojë pranë MFE kërkesën për rimbursimin e interesave në formë elektronike dhe të shkruar.Kërkesa për rimbursim duhet të përmbajë informacion të detajuar në lidhje me interesat e gjeneruara dhe mënyrën e përllogaritjes së tyre, për secilën Hua që Huadhënësi ka lëvruar në përputhje me këtë Marrëveshje.

Por nga ana tjetër qeveria ka shtrënguar masat për marrjen e kësaj kredie për pagat e punonjësve për ato biznese që janë kreditorë të këqij pra bizneset që kanë kredi me probleme nuk mund të përfitojnë nga garancia sovrane 1.

‘Huamarrësi nuk duhet të këtë kredi me probleme (këto sipas definicionit të rregullores së Bankës së Shqipërisë nr.62, datë 14.9.2011 “Për administrimin e rrezikut të kredisë nga bankat dhe degët e bankave të huaja”, të ndryshuar), në muajin shkurt 2020’.