Gjuha shqipe shkruhet korrekt në koshat e plehrave, por jo tek institucionet shqiptare

Sot kemi vendime të gjykatave që shkruhen në një gjuhë rruge dhe nuk respektojnë standardin e shqipes. Sot përdorimi i kompjuterit ka hequr nga qarkullimi shkronjën “ë” dhe shkronjën “ç”. Emrat e institucioneve shkruhen gabim. Le të marrim disa shembuj të të shkruarit gabim të gjuhës shqipe. Ne vizituam disa institucione shtetërore për të parë emërtimet e tyre në hyrje të godinave. Shumica prej tyre janë të shkruara pa e respektuar standardin e drejtshkrimit.

Gabimi më i zakonshëm është mungesa e shkronjës “ë”. Vini re emrat e institucioneve ose fjalët Republika e Shqipërisë. Me këtë gabim ishin tabelat e Rektoratit të Universitetit të Tiranës, Garda e Republikës, Gjykata e Lartë, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe fakulteti i teknologjisë së informacionit, Dhoma e tregtisë dhe industrisë Tiranë. Edhe në shumë institucione të tjera shëndetësore e kulturore emërtimet shkruhen pa shkronjën “ë”. Surprizë për ne ishte mungesa e shkronjës “ë” në hyrje të fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Pra aty ku studiohet gjuha shqipe. Kjo tregon qartë se institucionet shqiptare nuk e kanë mendjen tek respektimi i gjuhës Shqipe. Tani shikoni si kontrast një kompani Italiane që operon në Tiranë. EKOTIRANA është kompania Italo-Shqiptare që menaxhon mbetjet e kryeqytetit. Në çdo kazan drejtshkrimi i gjuhës Shqipe është shumë i saktë. Shkronja “ë” vendosur edhe atje ku germat janë kapitale. Të bën çudi që një kompani Italiane respekton gjuhën shqipe edhe tek kazanët e plehrave, ndërsa shqiptarët nuk e respektojnë as në hyrje të universiteteve.