Grabitja në Rinas, ja çfarë vendosi Gjykata për “Dajën” nga Kosova

Lihet në burg Ragip Hajdini, i arrestuari i gjashtë për grabitjen e miliona eurove në aeroportin e Rinasit. Hajdini, i njohur me nofkën “Daja” ka dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Hajdini u arrestua më 26 prill në zonën e Shkëmbit të Kavajës, si një nga të dyshuarit për grabitjen e 9 Prillit në Rinas.

Arrestimi i tij erdhi pas dëshmisë së dëshmitarit të drejtësisë, Alkond Bengasi, që tha se “daja” nga Kosova ishte një person tullac, të cilin e kishte takuar disa herë me Admir Muratajn.

Ragip Hajdini rezulton me precedentë të ngjashëm penalë edhe në Kosovë, aty ku ka qenë i dyshuar për grabitjen e 25 kg ar nga Dhoma e Dëshmive në Policinë e Pejës, bashkë me 5 persona të tjerë.