Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë mbështetjen e disa shteteve lidhur me hapjen e negociatave me BE-në.
Greqia është një ndër shtetet që ka transmetuar suport për dy shtetet që duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.
Ministri i Jashtëm helen, Nikos Dendias tha pas takimit me homologët e tij se këto katër vende mbështesin politikat e zgjerimit në BE-së. “Kam pasur kënaqësinë e madhe sot, këtu, në zyrat e Delegacionit Grek për të pritur Ministrat e Jashtëm të tre vendeve të Ballkanit që janë anëtare të Bashkimit Evropian, përkatësisht Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë. Gjatë takimit tonë diskutuam perspektivën e Ballkanit Perëndimor, perceptimin tonë të përbashkët se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një perspektivë evropiane dhe çështjet specifike të ngritura nga zgjerimi në lidhje me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë. Unë mendoj se është një hap i mirë që Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit të jenë në gjendje të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe të vijnë në pozicione të përbashkëta për interesin e përbashkët dhe zonën e përbashkët gjeografike më të gjerë brenda Bashkimit Evropian”, u shpreh Dendias.

