Hakmarrje e vjetër, vrau me armë babë e bir, ekstradohet nga Italia 28-vjeçari

Interpol Tirana ka kryer sot ekstradimin nga Italia drejt Shqipërisë të 28-vjecarit, Etjen Cani, i kërkuar nga drejtësia për dy vrasje. I riu është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 15.08.2012, në qytetin e Elbasanit, ku janë vrarë me armë zjarri në banesë babë e bir, Nezir e Gentian Beqiri.

Njoftimi i plotë:

Një tjetër i kërkuar bie në pranga, falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët.

Kapet në Itali dhe ekstradohet drejt Shqipërisë 28-vjeçari nga Elbasani, i kërkuar për vrasje.

Specialistët e Interpol Tirana bënë ekstradimin nga Milano, Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar E. C. 28 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Shtetasi E. C. është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 15.08.2012, në qytetin e Elbasanit, ku janë vrarë me armë zjarri babë e bir, shtetasit G. B. dhe N. B.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.